Çfarë është diskriminimi?
Diskriminimi i drejtpërdrejtë ndodh kur një person për arsye të ngjyrës, racës, origjinës kombëtare ose etnike, prejardhjes, besimeve fetare apo të tjera, paaftësisë apo sëmundjeve kronike, moshës, gjendjes civile ose sociale, orientimit seksual, identitetit ose karakteristikave gjinore, trajtohet në mënyrë më pak të favorshme nga ajo që merr, ka marrë apo do të marrë një person tjetër në situatë të ngjashme.
Diskriminimi i tërthortë ndodh kur një dispozitë, kriter ose praktikë neutrale në pamje të parë mund t’i vërë personat me karakteristikat e mësipërme në një pozitë të pafavorshme në krahasim me personat e tjerë.
Shqetësimi është ajo formë e diskriminimit që ndodh në rastin e një sjelljeje të padëshiruar, kur lidhet me cilëndo nga shkaqet e përmendura më sipër, që ka për qëllim apo efekt cenimin e dinjitetit të një personi dhe krijimit të një mjedisi frikësues, armiqësor, ofendues, poshtërues, ose agresiv.
Diskriminimi për shkak të shoqërimit do të thotë trajtimi më pak i favorshëm të një personi për shkak të marrëdhënies së tij të ngushtë me një person ose disa persona me karakteristikat specifike të mësipërme.
Diskriminimi për arsye të karakteristikave të perceptuara do të thotë trajtimi më pak i favorshëm i një personi që supozohet se zotëron karakteristikat specifike të mësipërme.
Diskriminim i shumëfishtë do të thotë çdo diskriminim, përjashtim ose kufizim, kundër një personi, i bazuar në më shumë se një nga arsyet e mësipërme.
Diskriminim do të thotë gjithashtu «refuzimi i përshtatjeve të arsyeshme» për persona me aftësi të kufizuara ose sëmundje kronike.
Diskriminimi mund të bëhet nga individët, bizneset, organizatat, si edhe nga shteti.
Le të shohim së bashku disa shembuj:
«Më thonin pse ike nga vendi yt dhe erdhe këtu.. Që nuk punoj aq sa mundem dhe çdo ditë më mallkonin dhe më flisnin keq. Derisa nuk durova më dhe u largova. Preferova të rrija pa punë sesa të të trajtohesha ashtu çdo ditë».
«Kurrë nuk e kisha menduar se në ndonjë moment do të isha viktimë e sjelljeve diskriminuese. Kisha një “punë të qëndrueshme” dhe fitime të mira. Kur më pushuan nga puna mendova se do të gjeja një punë të re brenda pak ditësh. Por, kur je në moshën 48 vjeçare nuk është e lehtë të të hapen dyert. Fillova të lexoja lajmërimet e punës, por u zhgënjeva edhe nga ato. Kërkonin persona të moshës 30-35 vjeç».
«Doja të aplikoja për punë në një institucion publik si nëpunës administrativ. Por, midis dokumenteve, duhej të dorëzoja edhe Certifikatë Shëndeti dhe Gjendjeje Fizike nga Komiteti i Shëndetit Parësor. Si një person me aftësi të kufizuara nuk mund të merrja një certifikatë të tillë».
«Kur në punën time mësuan se isha homoseksual, filluan problemet. Në fillim shihja disa kolegë që flisnin me zë të ulët me njëri-tjetrin duke më parë dhe duke qeshur. Kur u afrohesha, biseda ndërpritej papritmas dhe largoheshin. Pastaj fillova të merrja emaile ofenduese. Kur vendosa të ankohesha për këtë situatë, më pushuan nga puna».
«Aplikova për t’ u punësuar si mësuese e anglishtes dhe më refuzuan sepse jam myslimane».
Tashmë, trajtimi diskriminues nuk është vetëm një akt apo sjellje moralisht dhe shoqërisht e dënueshëm, por përbën një shkelje të ligjit 4443/2016 që sjell sanksione.
Legjislacioni
Ligji nr. 4443/2016 synon të nxisë parimin e trajtimit të barabartë, luftimin dhe eliminimin e diskriminimeve:
a) Për shkak të besimeve fetare apo të tjera, aftësisë së kufizuar apo sëmundjes kronike, moshës, gjendjes familjare apo shoqërore, orientimit seksual, identitetit ose karakteristikave gjinore, duke ofruar mbrojtje
- në fushën e punësimit dhe punës, në veçanti:
- për sa i përket aksesit dhe rekrutimit në punë
- për sa i përket kushteve të përgjithshme të punës
- në pagesat dhe shkarkimet nga puna
- në zhvillimin profesional
- në veprimet e sindikatave
- në fushën e formimit profesional, në të gjitha nivelet e drejtimit profesional, në marrjen e përvojës profesionale.
b) Për shkak të ngjyrës, racës, origjinës kombëtare apo etnike, prejardhjes, duke siguruar mbrojtje në sektorët e mësipërm si dhe në sektorët:
- e mbrojtjes dhe përfitimeve sociale
- e arsimit
- e kujdesit shëndetësor
- si dhe aksesin ndaj mallrave dhe shërbimeve, duke përfshirë edhe strehimin.
Për ndihmë, kontaktoni Autoritetet e Trajtimit të Barabartë dhe Organizatat aktive në fushat e ndryshme të diskriminimit.
Ky Ligj zbatohet për të gjithë personat në sektorin publik dhe privat.
Çfarë mund të bëjnë viktimat e diskriminimit?
Përmes Ligjit, viktimat e diskriminimit mund të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për të drejtat e tyre. Në këtë rast viktima e diskriminimit duhet të paraqesë pranë autoritetit administrativ kompetent ose në gjykatë, faktet reale, dhe përkatësisht edhe pala kundërshtare (ai/ajo që pretendohet se ka ushtruar trajtim diskriminues) për të provuar se nuk ka shkelur Ligjin.
Nëse e konsideroni veten viktimë diskriminimi, është e këshillueshme që të përdorni së pari të gjitha mjetet e tjera, përpara se të arrini në gjykatë. Masat që mund të merrni janë si më poshtë:
Njihni kuadrin ligjor, si dhe autoritetet dhe organizatat që mund t’ju ndihmojnë.
Përgatisni çështjen tuaj. Mblidhni ligjërisht të dhënat, mundësisht me shkrim, që provojnë se ju keni qenë viktimë e sjelljeve diskriminuese. Mbani shënime për faktet reale. Përpiquni të gjeni dëshmitarë për t’ju mbështetur. Ruani informacione në lidhje me aplikimin tuaj të punës, lajmërimet përkatëse, etj.
Paraqisni një ankesë me shkrim ndaj punëdhënësit tuaj. Në disa raste, kompanitë kanë departamente të posaçme që mbledhin ankesa të këtij lloji. Në rastet e kompanive multinacionale, këto departamente mund të gjenden në një shtet tjetër nga ai që punoni ju.
Drejtohuni tek Avokati i Popullit, organi që nxit parimin e trajtimit të barabartë në sektorin publik dhe privat, dhe te shërbimet lokale të Autoritetit të Pavarur të Inspektoratit të Punës, për të paraqitur ankesën.
Linja telefonike për ankesat lidhur me shkeljen e parimit të trajtimit të barabartë dhe të ligjit të punës në përgjithësi.
1555
Institucione tek të cilat mund të drejtoheni:
Avokati i Popullit – Cikli i aktiviteteve për Trajtimin e Barabartë
Adresa: Halkokondili 17, Κodi Postar 104 32 Athinë, Tel. (+30) 213 1306 775 & 213 1306 794,
Εmail: press@synigoros.gr
Inspektorati i Punës – Autoriteti i Pavarur
Adresa: Dragatsaniou 8, Κodi Postar 101 10 Athinë, Tel. 1555,
Εmail: helpdesk@sepenet.gr
Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale – Drejtoria e Rregulloreve Individuale – Seksioni IV Adresa: Stadiou 29, Κodi Postar. 101 10 Athinë, tel. 2131516540, 2131516025, 2131516080,
Εmail: oron_ergasias@ypakp.gr